Kryetari i Parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor i vendit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka reaguar pas sulmit ndaj një anijeje me flamur qipriot në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se “epoka e marrëveshjeve të njëanshme ka marrë fund”.
Në një postim të publikuar të dielën, Ghalibaf i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se Irani nuk do të pranojë më marrëveshje që, sipas tij, nuk respektohen nga pala tjetër.
“Ne ju thamë: Mbajeni fjalën ose paguani çmimin. Realiteti po troket në derë”, shkroi ai.
Bashkë me reagimin, Ghalibaf publikoi edhe një pjesë të memorandumit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, ku parashikohet se, pas nënshkrimit të marrëveshjes, Republika Islamike do të garantojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, pa pagesë, për një periudhë 60-ditore.
Deklarata vjen në një moment kur tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pas sulmit ndaj një anijeje tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe kundërpërgjigjes ushtarake amerikane ndaj objektivave iraniane, duke rritur frikën për një zgjerim të konfliktit në rajon.


