Përzgjedhësi i Kombëtares, Sylvinho, u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës kuqezi, pavarësisht humbjes 2-0 ndaj Anglisë në “Air Albania”, në ndeshjen e fundit të Grupit K për kualifikueset e Botërorit 2026.
Trajneri brazilian theksoi se Shqipëria zhvilloi një ndeshje solide përballë një prej skuadrave pretendente për gjysmëfinalet e Kupës së Botës.
“Jam shumë krenar për të gjithë lojtarët. Bëmë një ndeshje të mirë ndaj një kundërshtari që synon të paktën gjysmëfinalet. Kjo skuadër ka ndryshuar, është rritur, është bërë shumë punë nga të gjithë”, tha Sylvinho.
Ai vuri në dukje se ndaj Anglisë, çdo gabim mund të jetë fatal.
“Anglia nuk të lejon të reagosh. Kur pëson një gol, rrezikon të pësosh edhe të tjerë. Kështu u ka ndodhur shumë skuadrave të tjera,” u shpreh ai.
Sa i përket play-offit të Botërorit 2026, trajneri nuk dha komente për rivalët e mundshëm, duke theksuar se ende nuk ka informacion të plotë.
“Nuk mund të flasim pa ditur kundërshtarin. Shpresojmë që në mars t’i kemi të gjithë lojtarët në formë dhe në dispozicion,” përfundoi Sylvinho.
Shqipëria do të luajë ndeshjet e play-off-it në mars 2026, ku synon historinë — kualifikimin e parë në një Kupë Bote.

