Eros Grezda ka qenë padyshim një nga emrat më të komentuar në Kombëtaren tonë. I cilësuar si një nga futbollistët më të mirë dhe me më shumë kualitet që Kombëtarja ka pasur, Grezda u detyrua ta linte futbollin herët për shkak të dëmtimeve të shumta.
Në një rrëfim për “Panorama Sport”, ish-mesfushori ka folur për karrierën e tij, kohën e transferimit te Rejnxhërsi si edhe për Kombëtaren dhe ecurinë e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit.
Eros karriera si futbollist nuk zgjati shumë. Si e kujton atë kohë?
Të them të drejtën, nuk e kam pritur se do ta mbyll karrierën në moshën 29 vjeçare. Normal që gjithmonë kam ëndërruar që karriera ime të përfundonte në mënyrë shumë normale si futbollistët e tjerë. Por, dëmtimet që kam pas, më kanë detyruar që të ndërpritej më shpejt.
Në kulmin e karrierës, u transferuat te Rejnxhërs. Nëse do të ktheje kohën pas, a do ta bëje një lëvizje të tillë?
Tani që jam agjent futbollisti dhe që kam përjetuar pothuajse çdo momenti, të mirë e të keq në futboll, normal që kam eksperiencë më shumë edhe gjëja e mirë e kësaj është që për shembull, për lojtarët e mi mund t’i jap këshilla, që hapat e tillë me klub si Rejnxhërs nuk mund të thuash jo. Por në periudhën që unë isha atje, që sa isha bërë operacion, të shkosh në një klub aq të madh, vendimi mund të ketë qenë gabim. Por e përsëris, jam me shumë eksperiencë nga karriera ime e shkurtër dhe gabimet të cilat mund t’i kem bërë vetë, përpiqem tani që lojtarëve, të cilët unë udhëheq t’ju tregoj edhe të mos bëjnë hapa të tillë. Nuk është puna vetëm te transferimi ajo që them por edhe ne gjëra tjera. Për shembull, jam këshilltar i tyre për çdo gjë
Nedim Bajrami po kalon pak a shumë të njëjtën situatë si ju te Rejnxhërs. Çfarë do t’i këshilloje atij në këtë moment
Rejnxhërs njësoj si Sëlltiku janë dy klubet me histori të madhe dhe e kanë presionin e madh. Presioni i madh do të thotë që çdo ndeshje duhet të fitojnë dhe duhet të fitojnë trofe. E pritshmëritë janë të larta nga çdo futbollist. Nuk është vetëm problemi i Eros Grezdës apo Nedim Bajramit, por ka edhe lojtarë të tjerë të huaj, të cilët nuk paraqiten mirë aty. Kanë vështirësi dhe në momentin që bëjnë një hap tjetër. Shkojnë në një skuadër tjetër, për shembull në të njëjtin nivel, por kampionati është i ndryshëm. Ata janë paraqitur shumë mirë. Këtë do të lidhja me disa gjëra. E para është presioni i madh nga bordi i klubit. Presioni i madh nga tifozët. Pastaj është një ligë shumë fizike dhe në aspektin fizik, mund ta quaja si ligën më të fortë në botë. Edhe nëse je lojtar teknik. Nëse je lojtar me cilësi tjera, do të kesh shumë të vështirë adaptimin edhe performancën atje. Kjo besoj që është njëra ndër shkaqet kryesore që shumë futbollistë kanë probleme në momentin që transferohen në këtë lloj kampionati ose në këtë lloj klubesh siç është Rejnxhërsi apo edhe të tjerat.


