Nuredin Seçi, njeriu garant për pagesën prej 6 milionë dollarë për kompaninë lobuese që lidhet me heqjen e non gratës së kreut të PD, ka reaguar në lidhje me këtë situatë për “Shqipëria Live”.
Seçi u shpreh se ndodhet me pushime me familjen dhe nuk mundet të flasë për momentin.
“Ju faleminderit për interesimin por unë këto ditë jam me pushime me familjen larg e jam i pa mundur, për lobimin flet kontrata e ka Departamenti i shtetit e besoj që këtu çdo gja bahet transparente! Ju faleminderit për mirëkuptimin”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se SPAK ka nisur hetimet në lidhje me kontratën e lobimit të nënshkruar nga shqiptaro-amerikani Nuredin Seci; presidenti i firmës Continental Strategy LLC, Carlo Trujillo, një ish-këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump; si dhe nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, në cilësinë e përfituesit – kontratë që ka si qëllim krijimin e marrëdhënieve me aktorët kryesorë në qeverinë dhe kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për këtë lobim, një kontratë që u nënshkrua më 4 prill, u përcaktua të paguhet një tarifë prej 250 mijë dollarë në muaj për një periudhë prej 24 muajsh, që në total përllogaritet në masën prej 6 milionë dollarë.
Referuar kontratës mësohet se vlera monetare do të paguhen nga një fondacion që përfaqësohet nga Nuredin Seçi, ndërsa PD e Shqipërisë do të jetë përfituese e shërbimit të lobimit.
Pas publikimit të kontratës së lobimit prej 6 milionë dollarësh, PD tha zyrtarisht dje se nuk do ta paguajë vetë partia, por nga fondacioni “Make Albania Great Again”, një organizatë e krijuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan.

