Kryeministri Edi Rama ka reaguar për të gjithë ata që kritikuan koncertin e Kanye West të mbajtur një natë më parë në Tiranë.
“Mbrëmë, Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert. Shqipëria organizoi një ngjarje, që falë kanaleve sociale dhe famës globale të protagonistit, u bë në çdo cep të botës, një lajm. Në Shqipëri, këtë herë, ngjarja u bë motiv ndasie shumë e egër, ku një furi dhune dhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti. Kam dëgjuar të njëjtin refren, populli s’ka bukë, varfëria është në kulm, s’duam koncerte. Kjo qasje duket sikur ha debat. Ky është keqkuptim themelor mbi mënyrën si zhvillohet një vend. Zhvillimi nuk është bukë me madhësi fikse”, tha Rama teksa shtoi se kjo është mënyra se si zhvillohet një vend dhe se si rritet ekonomia.
Kreu i qeverisë shtoi se edhe në vazhdën e protestave, në vend ka mikpritje dhe siguri për të gjithë ata që zgjedhin Shqipërinë si destinacion për ta vizituar.
“Pyetja më e rëndësishme, nuk është thjesht sa kushton, por edhe sa vlerë krijon. Një shpenzim mbaron në çastin që bëhet, një investim vazhdon të prodhojë vlerë edhe pasi është bërë. Një koncert madhështor nuk lë pas vetëm një kujtesë të bukur lë para në arkat e hoteleve, restoranteve, kafeneve, sipërmarrjeve të trasportit, sigurisë dhe patjetër të atyre që bëhen pjesë. Krijon fitime për biznesin, duke mbledhur edhe të ardhura për shtetin përmes taksave, dhe miliona sy të drejtuara nga Shqipëria. I tregon botës se ky vend, edhe kur ka protesta, ka mikpritje, ka siguri. Një vend i lirë, demokratik, ku nuk ke asnjë ndrojë të vish, të pushosh, edhe të investosh”, theksoi ai.


