Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore miratoi me konsensus planin e plotë të punës, i cili parashikon hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor dhe dërgimin e tij për votim në Kuvend brenda korrikut 2026.
Në mbledhjen e drejtuar nga bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, u prezantua kalendari i detajuar i procesit, që nis me hartimin e projektligjit “Për financimin e partive politike” dhe vijon me rishikimin e të gjitha dispozitave kyçe të kodit zgjedhor: parimet bazë të zgjedhjeve, përgatitjen e listës së zgjedhësve, regjistrimin e kandidatëve, ndarjen e zonave zgjedhore, administrimin e proceseve dhe rolin e institucioneve përgjegjëse.
Gjiknuri theksoi se komisioni do të trajtojë të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, si edhe çdo propozim që do të paraqesin palët politike, me synimin që drafti final të përfundojë brenda afateve të miratuara. Ndërkohë, Bylykbashi vuri në dukje rëndësinë e përcaktimit të qartë të objektivave, tematikave dhe kohëzgjatjes së shqyrtimit të tyre, duke lënë hapësirë për fleksibilitet sipas nevojave të procesit.
Komisioni vendosi gjithashtu formimin e grupit të ekspertëve, me gjashtë anëtarë gjithsej – tre nga mazhoranca dhe tre nga opozita. Gjatë diskutimeve u theksuan çështje si përfshirja e të gjitha rekomandimeve të mëparshme të ODIHR-it, vota e diasporës dhe roli i ekspertëve.
Në përfundim, anëtarët votuan miratimin e Planit të Punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.e numrit të ekspertëve, vota e diasporës etj.
Pas diskutimeve anëtarët miratuan Planin e Punës së Komisionit të Posaçëm për realizimin e Reformës Zgjedhore.


