Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka marrë pjesë në takimin e Komitetit të Monitorimit të Planit të Rritjes dhe Reformave (RGF), i zhvilluar në ambientet e Banka e Shqipërisë, ku u diskutuan rezultatet e deritanishme dhe hapat e ardhshëm në kuadër të procesit të integrimit europian.
Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve vendase dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët vlerësuan ecurinë e reformave dhe zbatimin e angazhimeve të ndërmarra nga Shqipëria në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu u shpreh se Shqipëria po avancon me ritme të shpejta në procesin e integrimit, duke theksuar realizimin e 33 hapave reformues në pesë shtylla kryesore dhe përfitimin e mbi 212 milionë eurove në mbështetje buxhetore dhe investime strategjike.
Sipas saj, Shqipëria aktualisht kryeson vendet e Ballkanit Perëndimor për ritmin e zbatimit të reformave, ndërsa objektivi i integrimit europian mbetet i pandryshuar.
“Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar për të çuar përpara çdo reformë, me rezultate konkrete dhe pa humbur kohë, sepse ky është momenti i Shqipërisë europiane”, citohet të ketë deklaruar zv.kryeministrja.


