Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur të përfshijë 78 familje të tjera në programin e subvencionimit të interesave të kredisë për strehim, njoftoi kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani. Ky vendim erdhi pas një procesi të gjatë verifikimesh dhe shqyrtimesh administrative, duke i dhënë zgjidhje qytetarëve që prisnin prej vitesh.
Ristani theksoi se vendimi është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rikuperimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe garantimin e strehimit për qytetarët e prekur.
Në të njëjtën seancë, Këshilli miratoi edhe listat e përfituesve të Procesit të Rindërtimit, programin e ndihmës ekonomike për 231 familje për periudhën 1–31 korrik 2025, si dhe subvencionimin e qirasë për familjet në nevojë.
Gjithashtu, u miratua Plani Social 2025–2027, i hartuar me mbështetjen e UNDP, që synon të rrisë mirëqenien sociale, të forcojë përfshirjen në tregun e punës dhe të zgjasë shërbimet për fëmijët, të moshuarit dhe grupet vulnerabël, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

