Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Sarandë, ku një prokurore është kanosur dhe fyer brenda zyrës së saj nga dy shtetase.
Sipas burimeve, dy gratë, ende të paidentifikuara zyrtarisht – janë të afërme të një të miture, e cila është viktimë e një vepre penale të ndodhur disa ditë më parë në qytet. Pakënaqësia ndaj vendimit të prokurores për të kërkuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për të dyshuarin, i shtyu ato të shkonin në institucion dhe ta përballnin atë në mënyrë të dhunshme verbale.
Brenda zyrës së saj, prokurorja është përballur me fyerje dhe kërcënime, çka bëri që menjëherë të ndërhyjnë forcat e Komisariatit të Policisë Sarandë. Dy gratë u shoqëruan në komisariat dhe po merren në pyetje.
Për shkak të konfliktit të interesit, dosja i është kaluar për hetim Prokurorisë së Gjirokastrës. Rasti po hetohet për veprën penale “Kanosja e gjyqtarit”, sipas nenit 317 të Kodit Penal. Prova kryesore pritet të jenë pamjet filmike të kamerave të sigurisë, tashmë të sekuestruara nga autoritetet.

