Kërcënohet Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Policia e Durrësit ka konfirmuar lajmin pasditen e kësaj të shtune. Në njoftimin e bluve, shpërndarë për mediat thuhet se autorë të dyshuar të kërcënimit të Dukës janë pesë persona të cilët kanë rënë në pranga.
Burimet thanë se Duka është kërcënuar nëpërmjet telefonit me sms, për shkak të detyrës.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë. Personat e arrestuar pasi e kanë kërcënuar me sms presidentin e FSHF- së, më pas I kanë shkuar në shtëpi.
Njoftimi i Policisë
Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
R.L. 30 vjeç, P.S, 26 vjeç, B.S, 20 vjeç, S.S, 22 vjeç, dhe N.S, 57 vjeç, të gjithë banues në Krujë.
Si dhe u proceduan ne gjendje të lirë shtetasit A.S, 24 vjeç dhe A.S, 39 vjeç, të dy banues në Krujë.
Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi: Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës shtetasin A.D, 62 vjeç, banues ne Durrës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën, duke lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat personat e dyshuar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve dhe procedimi në gjendje të lirë i dy të tjerëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjitheshëm Durrës për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” e kryer në bashkëpunim.
Radar.al

