Një valë e pazakontë të nxehti ka goditur zemrën e Evropës veriore, duke thyer rekorde shumëvjeçare dhe duke dëshmuar se as vendet e njohura për verat e freskëta nuk janë të mbrojtura nga furia e krizës klimatike.
Norvegjia, Suedia dhe Finlanda – ikona të klimës së butë verore – u përballën me temperatura të paprecedentë. Në Finlandë, termometri qëndroi mbi 30°C për 22 ditë radhazi, ndërsa Suedia njohu “netë tropikale” për dhjetë netë pa ndërprerje, ku temperatura nuk zbriti kurrë nën 20°C.
Shkencëtarët e World Weather Attribution janë të qartë: ngrohja globale e shkaktuar nga djegia e karburanteve fosile e ka bërë këtë valë të paktën 10 herë më të mundshme dhe 2°C më të nxehtë. Në disa skenarë klimatikë, kjo ngjarje do të ishte e pamundur pa ndikimin e njeriut mbi klimën.
Pasojat ishin të menjëhershme dhe të dhimbshme. Spitale të tejmbushura dhe të mbinxehura detyroheshin të shtynin operacione. Qindra zjarre pyjore përfshinë rajonin, ndërsa në festa verore, njerëzit humbisnin ndjenjat nën diellin përvëlues. Kujtimet e vitit 2018 – kur vala e të nxehtit i mori jetën 750 personave në Suedi – riktheheshin si një paralajmërim i zymtë se historia mund të përsëritej.
As fauna nuk shpëtoi. Në gadishullin skandinav, drerët – simbol i bukurisë veriore – u gjendën në një betejë për mbijetesë. Disa ngordhën nga vapa, të tjerë u futën në qendrat e banuara për të kërkuar hije. Autoritetet lëshuan paralajmërime: drejtuesit e makinave të bëjnë kujdes, sepse drerët fshiheshin në tunelet rrugore për t’u freskuar.
“Edhe vendet më të ftohta sot po përballen me valë të nxehti të rrezikshme me vetëm 1.3°C ngrohje globale. Asnjë vend nuk është i sigurt,” – paralajmëron Prof. Friederike Otto nga Imperial College London. – “Djegia e naftës, gazit dhe qymyrit po vret njerëz sot.”
Skenarët për të ardhmen janë edhe më shqetësues: nëse temperatura globale ngjitet në 2.6°C, valë të tilla të nxehti në Skandinavi do të jenë pesë herë më të shpeshta deri në fund të shekullit – duke e kthyer “verën nordike” në një kujtim të largët.
Radar.al


