Mbyllja e qeverisë federale në SHBA ka shkaktuar ndërprerje të gjerë në transportin ajror, me mbi 1,000 fluturime të anuluara dhe rreth 4,400 të vonuara në të gjithë vendin që nga e shtuna pasdite, sipas faqes FlightAware.
Aeroportet më të prekur janë Aeroporti Ndërkombëtar Charlotte Douglas në Karolinën e Veriut dhe Aeroporti Ndërkombëtar Newark Liberty në New Jersey, një qendër kyçe për udhëtarët që drejtohen në New York City.
Kjo mbyllje, që ka arritur tashmë 40 ditë dhe është më e gjata në historinë e SHBA-së, ka lindur nga mosmarrëveshjet në Kongres midis republikanëve dhe demokratëve për buxhetin federal, duke përfshirë financimin e sigurimeve shëndetësore dhe programeve sociale.
Mungesa e një buxheti ka çuar në pezullimin e shumë shërbimeve publike, ndërsa mijëra punonjës, përfshirë kontrollorët e trafikut ajror, punojnë pa pagesë. Programet e ndihmës ushqimore për familjet me të ardhura të ulëta po përballen gjithashtu me presion të shtuar.
Administrata e Aviacionit Civil (FAA) ka reduktuar fluturimet me 4% këtë javë dhe parashikon ulje deri në 10% deri në mesin e nëntorit, pikërisht para festës së Falënderimeve, një periudhë e zakonshme e rritjes së udhëtimeve ajrore.
Megjithëse republikanët dhe demokratët vazhdojnë të fajësojnë njëri-tjetrin për krizën, sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve i lënë përgjegjësinë Presidentit Donald Trump dhe Partisë Republikane për paralizën fiskale.

