Pamjet dramatike nga New York-u kanë bërë xhiron e rrjetit: kandidati demokrat për kryetar bashkie, Brad Lander, i njohur edhe si Kontrollori i qytetit, është arrestuar nga agjentët federalë të Imigracionit (ICE), pasi kundërshtoi hapur një bastisje të tyre.
Ngjarja ndodhi mes tensioneve të ngritura për shkak të ofensivës së administratës Trump ndaj emigrantëve të paligjshëm. Lander shihet në video teksa përballet me oficerët federalë, duke kërkuar të shohë një urdhër gjyqësor për ndalimin e një individi që shoqëronte. “Ju nuk keni autoritet për të arrestuar qytetarë amerikanë”, dëgjohet duke u thënë ai agjentëve të ICE-së pak para se të prangosej për pengim të ligjit dhe sulm ndaj oficerëve federalë.
Administrata federale e ka cilësuar veprimin e Lander si “minim të autoritetit të ligjit” dhe një akt të papërgjegjshëm politik për efekt viraliteti. “Askush nuk është mbi ligjin”, u shpreh zëdhënësja e Sigurisë Kombëtare.
Ndërkohë, mbështetësit e Lander e shohin arrestimin si një shembull tronditës të abuzimit me pushtetin. Prokurorja e Përgjithshme e New York-ut, Letitia James, e quajti ndalimin e tij një “përshkallëzim grotesk” të tensioneve politike në vend.
Arrestimi i kandidatit demokrat ka ndezur sërish debatin mbi masat agresive të ICE-së dhe politikat e ashpra të Trump ndaj emigrantëve, ndërsa vala e protestave po shtrihet në shumë qytete amerikane.


