I njohur për qetësinë, durimin, inteligjencën dhe respektin që ka ndaj figurës së femrës, në një rrëfim për Ed Manushin, aktori i njohur, Laert Vasili ka emocionuar me fjalët.
Duke rrëfyer që nga fëmijëria, si e la futbollin për t’u bërë pjesë e fushës së artit e deri te raportin me mamanë dhe me motrën, aktorit i mbushen sytë me lot teksa kujton këtë të fundit.
Mes lotësh e plot emocione, Laerti shprehet se ka 7 vite pa e takuar motrën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ai nuk ka shkuar pranë saj me frikën se mos nuk kthehet më në Shqipëri.
“Elen e kam rritur, kur lindi ajo unë isha 7 vjeç. E kam rritur motrën, më merr shumë shpesh malli për të. Kemi jetuar për 20 vite në Athinë bashkë. Është make up artiste në Amerikë, është e martuar me amerikan me origjinë greke. Unë nuk kam shkuar në Amerikë, kam frikë se nuk kthehem. Kam 7 vite pa e parë motrën. Edhe pse kanë kaluar shumë vite pa e parë, e dua shumë” tha mes lotësh Laert Vasili.