Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur afishimin publik për regjistrimin fillestar të pronave në pesë fshatra të Bashkisë Has, duke i dhënë banorëve mundësinë të verifikojnë dhe korrigjojnë të dhënat e pronësisë para finalizimit të procesit.
Gjatë kësaj faze publikohen:
listat e pronave me sipërfaqet përkatëse,
emrat e pronarëve të identifikuar,
hartat kadastrale të zonave të përfshira.
Procesi po zhvillohet në këto zona kadastrale:
ZK 2463 – Liqeni i Kuq, Njësia Administrative Fajzë
ZK 3911 – Zgjec, Njësia Administrative Golaj
ZK 2983 – Plani i Pates, Njësia Administrative Golaj
ZK 2950 – Perollaj, Njësia Administrative Golaj
ZK 1278 – Brenogë, Njësia Administrative Fajzë
Banorët e këtyre fshatrave janë të ftuar të kontrollojnë me kujdes të dhënat e publikuara gjatë afishimit. Nëse konstatojnë pasaktësi apo kanë pretendime për pronësinë, ata mund të paraqesin kërkesë me shkrim pranë:
Njësisë Administrative Golaj,
Njësisë Administrative Fajzë,
ose pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së Kukës.
Pas përfundimit të kësaj faze dhe mbylljes së regjistrimit fillestar, qytetarët do të mund të aplikojnë për regjistrimin dhe certifikimin e pronës përmes portalit e-Albania.
Procesi synon të rrisë sigurinë juridike të pronës, të përmirësojë shërbimet kadastrale dhe të garantojë akses më të shpejtë dhe më transparent për qytetarët.



