Nga data 15 korrik, bizneset që kanë detyrime tatimore të papaguara nuk do të njoftohen më me postë fizike, por përmes sistemit elektronik e-Filing, njofton Administrata Tatimore.
Të gjitha njoftimet dhe kërkesat për pagesë gjenerohen automatikisht në sistemin elektronik, janë të pajisura me vulë elektronike dhe kanë vlerë të plotë ligjore. Pas përfundimit të afatit ligjor për mbledhjen me forcë të borxhit, çdo dokument lidhur me detyrimet e papaguara shfaqet në seksionin “e-Filing im”, nënseksioni “Dokumentet e mia”, në llogarinë elektronike të tatimpaguesit.
Administrata Tatimore thekson se ky ndryshim synon të rrisë transparencën dhe efikasitetin në komunikim me bizneset, duke mundësuar informim në kohë reale dhe reagim të menjëhershëm për shlyerjen e detyrimeve tatimore. Përmes kësaj procedure, pritet të parandalohen masat ndëshkuese dhe të forcohet administrimi i borxheve tatimore.


