FIER– Në Gjykatën e Fierit është zhvilluar një seancë maratonë, ku ka zgjatur mbi 8 orë gjykimi për çështjen e “Bankers Petroleum”.
Gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për CEO-n aktual të kompanisë Bankers, shtetasin kinez Hong Ping Xiao, si dhe për ish-CEO-n Leonidha Çobo.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Gladiola Bregu, e cila konfirmoi gjithashtu masat e sigurisë edhe për shtatë zyrtarë të tjerë të kompanisë, pjesë e sektorit Financiar dhe të departamentit Juridik.
Të pandehurit mohuan akuzat dhe u deklaruan të pafajshëm. Në mbrojtjen e tij, Çobo përmendi se ndaj tij ishte zhvilluar një hetim i mëparshëm nga Prokuroria e Fierit për periudhën kur drejtonte Bankers, hetim që u pushua me kërkesë të vetë prokurorisë dhe u konfirmua nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë.
Maksim Sota, avokati i Çobos, theksoi se çështjet që lidhen me të ardhurat e kompanisë janë trajtuar më parë në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris dhe se klienti i tij po përballet padrejtësisht me akuza që i dëmtojnë imazhin./Radar.al


