Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e konsideroi tërheqjen e kompanisë së Jared Kushnerit – dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump – nga projekti për ndërtimin e një kompleksi luksoz në Beograd si një “dëm të madh për Serbinë”, duke theksuar se vendi humbi të paktën 750 milionë euro investim.
Projekti, i parashikuar në zonën ku ndodheshin ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, do të përfshinte një kompleks banimi dhe biznesi me markën Trump. Por ai u kundërshtua nga protestues antiqeveritarë, opozita dhe ekspertë që mbrojnë statusin e monumentit kulturor të ndërtesës.
Kompanisë investuese “Affinity Partners” iu desh të tërhiqej, duke deklaruar se projekti, pavarësisht vizionit për një dizajn “elegant dhe frymëzues”, duhet të bashkonte dhe jo të ndante qytetarët. Në deklaratën e saj, kompania nënvizoi respektin për popullin e Beogradit dhe vendosi të bëjë një “hap pas”.
Akuzat dhe hetimet
Tërheqja erdhi një ditë pasi Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje ligjore gjatë heqjes së statusit të pronës kulturore ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm. Hetimet, që vazhdojnë që nga maji, përqendrohen tek dyshimet për falsifikim dokumentesh, të cilat lejuan heqjen e statusit të monumentit kulturor.
Drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, Goran Vasiç, ka pranuar tashmë falsifikimin e dokumentacionit, i cili u përdor për të miratuar vendimin nga Ministria e Kulturës. Sellakoviq tha se pret me padurim gjyqin, duke e konsideruar të gjithë procesin si një “fund të bllokuesve” – term që përdoret për pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare.
Reagimet e Vuçiçit
Vuçiç fajësoi protestuesit, Prokurorinë dhe “bllokuesit” për humbjen e investimit dhe paralajmëroi se do të ngrejë kallëzime penale kundër të gjithë atyre që sipas tij kontribuuan në “shkatërrimin e investimit” dhe dëmin ekonomik ndaj Serbisë. Ai hodhi poshtë çdo akuzë për korrupsion në lidhje me projektin, duke deklaruar se qëllimi i tij ka qenë vetëm modernizimi i vendit.
Analiza ndërkombëtare
Edward P. Joseph, ligjërues dhe bashkëpunëtor i lartë në Universitetin Johns Hopkins, tha për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e Qeverisë së Vuçiçit për të marrë pronësinë dhe për të hequr statusin e ndërtesës shpërthyen në një skandal dhe se lajmi për tërheqjen e Kushnerit nuk ishte i papritur. Ai theksoi gjithashtu se çështja është diskutuar në Nënkomisionin për Evropën të Komitetit për Çështjet e Jashtme në SHBA.
Kontrata dhe detajet financiare
Negociatat për projektin kishin zgjatur mbi dy vjet, ndërsa kontrata fillestare u nënshkrua në maj të vitit 2024 nga Goran Vesiq për Serbinë. Ajo parashikonte që ndërtesa të hiqej nga regjistri i pronave të mbrojtura kulturore, shembja të kryhej sipas kërkesave të kompanisë dhe toka të jepet me qira pa pagesë për 99 vjet, me opsionin e pronësisë falas për Kushnerin.


