Site icon Informohu siç duhet

“Janë të mirëpritur!”/ Britanikët sfidojnë ekstremizmin në mbështetje të refugjatëve

Qindra qytetarë britanikë marshuan të dielën në qytetin Epping, në verilindje të Londrës, mes tensioneve të rritura për çështjen e emigracionit. Rreth 400 protestues, të ndarë në grupe pro dhe kundër pranisë së azilkërkuesve në zonë, u përballën përpara hotelit “The Bell”, i cili aktualisht përdoret si strehë për emigrantë.

Protesta u zhvillua pas raportimeve për një azilkërkues të dyshuar për tre incidente me natyrë seksuale, përfshirë një përpjekje për të puthur një vajzë 14-vjeçare. Ndërsa grupet kundërshtuese kërkonin mbylljen e hotelit, një pjesë e protestuesve shprehnin shqetësim për sigurinë e komunitetit. “Nuk dimë kush janë, po rrezikojnë jetën tonë të përditshme”, tha një protestuese me emrin Cathy.

Në të njëjtën kohë, grupi antiracist “Stand Up To Racism” organizoi një kundërprotestë, duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Refugjatët janë të mirëpritur këtu” dhe “Kjo është rruga jonë!”.

Autoritetet lokale morën masa të forta sigurie, përfshirë ndalimin e mbajtjes së maskave dhe ndarjen e grupeve me barriera fizike. Policia e Essex-it raportoi tre arrestime, por ngjarja përfundoi pa incidente madhore.

Debati për emigracionin mbetet një çështje e nxehtë në Mbretërinë e Bashkuar, sidomos pas rritjes së numrit të migrantëve që kalojnë Kanalin e La Manshit me varka të vogla – mbi 24 mijë vetëm gjatë vitit 2025, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Ngjarja rikujton tensionet e vitit të kaluar në Southport, kur pas një vrasjeje të trefishtë me thikë u përhapën lajme të rreme se autori ishte emigrant, ndonëse ishte britanik me origjinë vendase.

Exit mobile version