Të paktën 25 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës më 20 prill, përfshirë gra dhe fëmijë, sipas Agjencisë për Mbrojtje Civile në Gaza.
“Që nga agimi, sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 20 persona dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë”, deklaroi zëdhënësi Mahmud Bassal për AFP-në. Në një incident të ndarë, pesë persona të tjerë u vranë nga sulmet me dronë në Rafah.
Izraeli rifilloi ofensivën ushtarake në Gaza më 18 mars, pas një periudhe dy mujore armëpushimi, duke përshkallëzuar luftimet në konfliktin 15-mujor me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përsëritur se operacionet ushtarake do të vazhdojnë derisa të lirohen të gjithë pengjet e mbetura. “Jemi në një fazë kritike të fushatës. Nevojitet durim dhe vendosmëri për të fituar,” tha ai në një deklaratë zyrtare.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që kur rifilluan sulmet, janë vrarë të paktën 1.827 persona. Shifra e përgjithshme e viktimave nga fillimi i luftës në tetor 2023 ka arritur në 51.201, kryesisht civilë – shifra të konsideruara të besueshme edhe nga Kombet e Bashkuara.
Lufta nisi pas një sulmi të përgjakshëm të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe u rrëmbyen afro 250 të tjerë. Aktualisht, 58 pengje vazhdojnë të mbahen në Gaza, ndërsa ushtria izraelite beson se 34 prej tyre kanë ndërruar jetë./REL