Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka miratuar planet e ushtrisë për një ofensivë të re në Qytetin e Gazës, të prezantuara mbrëmjen e djeshme nga shefi i Shtabit të IDF-së, Gjenerali Eyal Zamir. Operacioni është pagëzuar me emrin “Tanket B të Gideonit”, në vazhdën e një operacioni të mëparshëm që mbuloi rreth 75% të Rripit të Gazës, në përpjekje për të detyruar Hamasin të lirojë pengjet.
Sipas Israel Times, rreth 60,000 rezervistë izraelitë do të thirren duke filluar nga dita e sotme, në varësi të udhëzimeve të ministrit Katz. Ushtria do të japë urdhra të detajuara dy javë para paraqitjes së tyre, ndërsa disa do të zëvendësojnë trupat e përhershme në fronte të tjera dhe jo të gjithë do të jenë të përfshirë direkt në ofensivë.
Nga ana tjetër, Hamasi ka raportuar se që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor 2023, rreth 19,000 fëmijë janë vrarë në enklavë. Totali i viktimave palestineze llogaritet mbi 62,000, sipas të dhënave të Al Jazeeres.
Ndërkohë, Izraeli ka vijuar sulmet ndaj krerëve të Hamasit. Javën e kaluar, Muhammad Naif Abu Shamala, komandant i një njësie të forcave speciale Hamas Nukhba, u vra në Rripin e Gazës. Njësia e tij kishte marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit, duke tentuar të godiste një post kufitar pranë qytetit Kissufim.


