Autoritetet serbe kanë arrestuar në pikën kufitare të Merdares një shtetas shqiptar, të identifikuar me inicialet L.D., i lindur në vitin 1992, pasi pretendohet se gjatë kontrollit të automjetit të tij është gjetur një flamur me simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ngjarja ka ndodhur teksa një furgon Mercedes, që drejtohej nga L.D. dhe vinte nga territori i Kosovës, iu nënshtrua një kontrolli rutinë nga policia kufitare. Gjatë inspektimit, efektivët deklarojnë se zbuluan nën sediljen e makinës një flamur të kuq me shenjën e UÇK-së, të cilin autoritetet serbe e konsiderojnë material të paligjshëm.
Pas këtij zbulimi, i riu shqiptar është shoqëruar menjëherë dhe është vendosur në ndalim për 48 orë. Ai pritet të dalë përpara Prokurorisë së Lartë Publike në Prokuplje, ku do të përballet me kallëzim penal në lidhje me veprën për të cilën dyshohet.
Rasti ka gjeneruar reagime në rrjetet sociale dhe është pritur me shqetësim nga qytetarë të Kosovës, duke qenë se UÇK-ja konsiderohet pjesë e historisë së rezistencës së tyre, ndërsa në Serbi simbolet e saj trajtohen si vepra penale, çka shpesh ka shkaktuar tensione në zonat kufitare.


