Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Itali, pasi dyshohen si pjesë e një rrjeti kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Sipas mediave italiane, gjatë operacionit policia sekuestroi dy pako me nga 2.5 kilogramë kokainë, me një vlerë tregu prej rreth 300 mijë eurosh. Të dyshuarit u kapën në momentin kur po shkëmbenin drogën.
Dy prej tyre, të moshave 32 dhe 34 vjeç, rezultojnë me precedentë penalë, ndërsa një 50-vjeçar nuk kishte të kaluar kriminale.
34-vjeçari, banues në Padova, ishte dënuar më parë me katër vite burg, pasi në vitin 2021 u kap me mbi një kilogram marijuanë në automjet dhe rreth gjysmë kilogrami kokainë në banesë.
Ndërkohë, 32-vjeçari, banues në Selvazzano Dentro, kishte përfunduar vetëm 20 ditë më parë një dënim me arrest shtëpiak për një tjetër rast droge. Ai ishte dënuar me 2 vite e 8 muaj burg për posedim kokaine në vitin 2025 dhe më herët, në vitin 2022, ishte arrestuar me sasi të konsiderueshme hashashi, marijuane dhe mbi 7 kilogramë kokainë në automjet.
50-vjeçari shqiptar, i përfshirë në këtë rast, nuk rezulton me precedentë të mëparshëm penalë.


