Site icon Informohu siç duhet

ISHP: Studimet kanë hedhur poshtë lidhjen mes vaksinës së fruthit dhe autizmit

Ekspertët e Shëndetësisë në Shqipëri kanë hedhur poshtë thashethemet që lidhin vaksinën e fruthit me autizmin. Artan Simaku, specialist i ISHP, theksoi se kjo është një teori e rrëzuar prej kohësh nga shkenca dhe nuk duhet më diskutuar.

“Janë kryer dhjetëra studime në të gjithë botën, me qindra mijëra fëmijë, të cilat kanë treguar se nuk ka asnjë lidhje mes vaksinës së fruthit dhe autizmit. Studimi i vitit 1998 që ngjalli këtë polemikë kishte metodologji jo shkencore dhe u bazua vetëm në 12 fëmijë. Një studim më i madh në vitin 2019 me 650 mijë fëmijë e ka hedhur poshtë këtë lidhje,” tha Simaku.

Ai gjithashtu vuri në dukje se vitet e fundit ka pasur një tendencë për të shtyrë vaksinimin pas moshës njëvjeçare, çka ka rritur rrezikun e infektimit me fruth. “Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikacione të rënda si pneumoni, dëmtim të dëgjimit dhe encefalit,” shtoi ai.

Vaksina e fruthit aplikohet në moshën 1 dhe 5 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP, mbulesa vaksinale për vitin 2024 është 81% për dozën e parë dhe 92% për dy doza, ndërkohë që për të arritur imunitetin e tufës, mbulesa vaksinale duhet të jetë mbi 95%.

Exit mobile version