Tre persona të shpallur në kërkim janë arrestuar nga Policia Kufitare e Rinasit, teksa tentonin të hynin në Shqipëri. Operacioni është rezultat i kontrolleve të shtuara dhe analizës së riskut, me qëllim kapjen e personave në kërkim dhe goditjen e paligjshmërisë.
Në pranga ranë:
Denis Xhelili, 41 vjeç, banues në Vlorë. Ai ishte deportuar nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa pas verifikimeve rezultoi i dënuar me 13 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata e Kurorës Luton–Chichester për veprat penale “Komplot për furnizim me drogë të klasit A” dhe “Komplot për t’u shmangur nga ndalimi i importimit të një droge të klasit A”. Vendimi është njësuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
V. S., 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte nga Belgjika. Pas kontrollit, rezultoi i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 4 muaj burg për veprën “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
M. M., banues në Korçë, i dënuar për “Kalim të paligjshëm të kufirit”, pasi gjykata kishte vendosur konvertimin e dënimit nga gjobë në burgim.
Pas arrestimit dhe intervistimeve, tre shtetasit iu dorëzuan për veprime të mëtejshme Drejtorive Vendore të Policisë në Vlorë, Tiranë dhe Korçë.
Policia Kufitare e Rinasit thekson se do të vijojë kontrollet intensive për identifikimin dhe ndalimin e çdo shtetasi që kërkohet nga drejtësia shqiptare ose ajo ndërkombëtare.


