Irani ka regjistruar një numër rekord ekzekutimesh gjatë vitit të kaluar, duke kryer të paktën 1 640 dënime me vdekje, shifra më e lartë që nga viti 1989, sipas një raporti të publikuar nga organizatat “Iran Human Rights” dhe “Together Against the Death Penalty”, cituar nga BBC.
Sipas raportit, ky është një rritje prej 68% krahasuar me vitin 2024, kur u raportuan 975 ekzekutime në total.
Pjesa më e madhe e ekzekutimeve lidhet me vepra penale të drogës dhe vrasje. Konkretisht, 795 persona janë ekzekutuar për çështje të lidhura me narkotikët, ndërsa 747 për vrasje. Po ashtu, 37 persona janë dënuar me vdekje për përdhunim dhe të paktën 57 të tjerë për akuza që lidhen me sigurinë kombëtare, përfshirë edhe dy protestues.
Organizatat paralajmërojnë se autoritetet iraniane mund të vijojnë të rrisin përdorimin e dënimit me vdekje, veçanërisht në kontekstin e tensioneve të brendshme dhe përplasjeve me SHBA-në dhe Izraelin.
Sipas të dhënave të raportit, që nga fillimi i konfliktit të fundit më 28 shkurt, janë ekzekutuar edhe shtatë persona të lidhur me protestat, ndërsa mijëra të tjerë janë vrarë ose arrestuar gjatë goditjeve të autoriteteve.
Irani mbetet vendi i dytë në botë për numrin e ekzekutimeve, pas Kinës, ku shifrat zyrtare nuk bëhen publike. Viti i fundit shënon nivelin më të lartë në gati katër dekada, me një mesatare prej rreth katër ekzekutimesh në ditë.

