Site icon Informohu siç duhet

Inzagi tradhtoi Interin, trajneri kishte firmosur me Al-Hilalin para finales së Championsit

Finalja e Ligës së Kampioneve kundër PSG-së nuk ishte vetëm një sfidë për lavdi dhe histori. Ishte një moment ku Interi kishte në lojë edhe fytyrën.

Dhe ajo fytyrë u rrëzua bashkë me humbjen e thellë 5-0 në Mynih, një disfatë që, në retrospektivë, ka fituar dimensione edhe më të rënda pas zbulimeve për trajnerin Simone Inzagi. Zyrtarizimi i largimit të tij drejt Al-Hilal ndodhi vetëm pas finales, por, sipas CEO-s së klubit saudit, Esteve Kalzada, marrëveshja ishte mbyllur prej kohësh, madje para datës 31 maj, një fakt që ka zemëruar thellësisht ambientin zikaltër, i cili ndihet i tradhtuar jo vetëm si klub, por edhe si projekt.

Zemërimi shtohet kur kujtohet se vetëm pak orë pas një takimi me Marotën dhe Ausilion për të diskutuar të ardhmen, Inzagi xhironte videon e prezantimit me klubin saudit, me sfond zërin e komentimit të një goli të vëllait të tij, Pipo. Ishte një rast i humbur për të bërë një dalje madhështore nga skena, në stilin e Murinjos më 2010. Një triumf në Champions do t’i kishte ngritur përjetë staturën në historinë e klubit dhe të futbollit europian. Por ndryshe nga Mou, që e braktisi Interin për Real Madridin pas tripletës historike, Inzagi nuk la gjurmë. Përkundrazi, ai largohet me një njollë, pas një mbrëmjeje që as vetë lojtarët, nga Lautaro tek Bastoni, nuk arrijnë ta shpjegojnë. Përtej spekulimeve, disa pyetje qëndrojnë pezull. A ishte mendja e Inzagit e shpërqendruar nga marrëveshja saudite në prag të finales? A e kishte informuar skuadrën për largimin e tij para ndeshjes?

Dhe nëse po, a kishte tentuar të tërhiqte lojtarë si Barela dhe Bastoni drejt Lindjes së Mesme me oferta marramendëse? Asgjë nuk është e sigurt, por një gjë dihet me siguri, zemërimi i Interit është i thellë. Ndjesia ishte se trajneri kishte arritur një “marrëveshje” për rinovim, por kishte plane paralele të cilat nuk u komunikuan me ndershmëri. Ndaj, largimi që u prezantua si “miqësor dhe i përbashkët” nga Marota, sot shihet më shumë si një “tradhti e heshtur”. Dhe në fund, mbetet një Inter që, përveç një humbjeje të rëndë në fushë, ndjen se ka humbur edhe besimin pas kuintave. Një skuadër që kërkonte përjetësi, por përfundoi me dyshime, zhgënjim dhe shumë zemërim të pashprehur./PanoramaSport

Exit mobile version