Kristjan Asllani, të zgjedh ty. Jo. Nuk bëhet fjalë për një tjetër puntatë të Pokemonit apo të ndonjë serie tjetër të personazheve të animuar, por thjesht situata ku ndodhet trajneri Simone Inzagi.
Trajneri i Interit duhet që të bëjë llogaritë për Veronën me dëmtimin e Hakan Çalhanoglusë, që nuk është i dëmtuar në aspektin muskulor, por as në formën më optimale. Kështu që nuk do të rrezikohet në “Bentegodi” kundër Veronës. Organizatori turk është një element i rëndësishëm i lojës zikaltër, por në fillimin e një serie të gjatë impenjimesh dhe në momentin më të nxehtë të sezonit, çdo rrezik kushton shumë. Është e ndaluar që të gabojnë, të gjithë madje.
ASLLANI GATI- Për këtë motiv, por në anën tjetër të perspektivës, vëmendja është e gjitha te Kristjan Asllani. Mesfushori shqiptar, i transferuar nga Empoli si një goditje e së ardhmes ka 2 vite në Milano dhe është thirrur në apel për t’u përgjigjur në fushën e lojës për motivin kryesor që është thirrur: Të zëvendësojë Çalhanoglunë dhe t’i japë frymëmarrje atij kur nuk mundet dhe jo sa për numër, por të garantojë kualitet dhe besueshmëri në fushë. Detyrë që në fakt deri tani nuk është përmbushur e gjitha me sukses. Nga grumbullimi i Kombëtares shqiptare, Asllani ka qenë i qartë duke thënë se pret të luajë nga minuta e parë me Veronën.
“Jam rritur shumë, jam gati. Jam një organizator dhe më pëlqen ky rol. Por mund të luaj kudo”, tha ai për “Sportmediaset”. A është kjo ideja që ka në mendje Inzagi? Nuk është e thënë, ose më saktë nuk është e sigurt. Dëmtimi në muajin e kaluar edhe për Asllanin e detyroi trajnerin që të “shpikte” regjisorë të rinj si Barela dhe Zielinski. Kanë bërë ndeshje të mira, edhe pse me karakteristika të ndryshme. Por këto lëvizje kanë shërbyer për të shtuar konkurrencën përpara mbrojtjes. Por problemi i madh është që nëse Inzagi do të zgjedhë një mes Barelës dhe Zielinskit në regji, atëherë kjo do të thotë se e “djeg” përfundimisht Asllanin.
Një hap që ndoshta trajneri nuk ia lejon vetes dhe as klubit, edhe në aspektin ekonomik. Është një “martesë” që duhet të zgjasë dhe nëse jo, palët duhet të ndahen pozitivisht. Krisja është një skenar që duhet shmangur. Por edhe Asllani ka shansin e artë dhe momentin e së vërtetës për të treguar vlerat e tij./PanoramaSport