Dy shtetas shqiptarë të dënuar për vrasje janë ekstraduar drejt Itali nga autoritetet shqiptare, pas një operacioni të zhvilluar nga Interpol Tirana.
Personat e ekstraduar, kushërinjtë Andon (alias Afrim) Sina, 52 vjeç, dhe Niko (alias Faslli) Sina, 49 vjeç, banues në fshatin Rreth-Kalë të Dibër, ishin të shpallur në listën e 100 personave më të kërkuar në Itali dhe fshiheshin prej vitit 1999 duke përdorur identitete të rreme.
Kapja e tyre u realizua në mars 2025 gjatë operacionit policor të koduar “Difficult Conditions”, i zhvilluar në terren të vështirë dhe në kushte të pafavorshme moti, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë.
Sipas autoriteteve italiane, dy kushërinjtë janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit e Napoli në vitin 2006, me nga 14 vjet e 11 muaj burg secili, për veprat penale “vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “vrasje e mbetur në tentativë”.
Ngjarja për të cilën ata janë dënuar ka ndodhur më 22 shtator 1999 në komunën Gricignano d’Aversa, ku, sipas hetimeve, ata kanë vrarë me sende të forta dhe mjete prerëse një shtetas shqiptar dhe kanë plagosur rëndë një tjetër, në një konflikt të lidhur me ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme.

