Interi vijon marshimin drejt titullit në Serinë A, duke mposhtur Cagliarin me rezultatin 3-1 në “San Siro”, në javën e 32-të të kampionatit. Me këtë fitore, zikaltrit e Simone Inzaghit ngjiten përkohësisht në +6 nga Napoli, duke rritur presionin në krye të tabelës.
Ndeshja nisi fuqishëm për zikaltrit, të cilët, pavarësisht disa rotacioneve në formacion për të ruajtur forcat në prag të sfidës kundër Bayern Munichut, arritën të kalonin në avantazh që në minutën e 13-të me një goditje të fuqishme të Arnautovic. Sulmuesi austriak u bë protagonist sërish, kur dhuroi një asist perfekt për Lautaro Martinezin, i cili dyfishoi rezultatin dhe konfirmoi formën e tij të shkëlqyer.
Në pjesën e dytë, Cagliari reagoi dhe ngushtoi diferencën me një gol të Piccolit, i cili përfitoi nga një krosim i saktë i Augellos dhe goditi saktë me kokë. Por Interi nuk lejoi befasi. Vetëm pak minuta më vonë, pas një goditjeje nga këndi, Bisseck shënoi golin e tretë dhe vulosi fitoren e zikaltrëve.
Në një atmosferë të zjarrtë dhe me një skuadër që po funksionon si një mekanizëm i saktë, Interi duket më i vendosur se kurrë për të mbyllur kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme. Me Ligën e Kampionëve që troket në derë, kjo fitore është një injeksion i fortë besimi për sfidat që vijnë.