Influencerja dhe balerina italo-poloneze, Bianca Marie Swiatek, ka shkaktuar një valë reagimesh të përziera në rrjetet sociale pas publikimit të një videoje të pazakontë në TikTok. Pak kohë pas vdekjes së nënës së saj, ajo publikoi një video “Get Ready With Me” ku shfaqej duke u përgatitur për funeralin e nënës.
Videoja ka arritur mbi dy milionë shikime dhe ka shkaktuar kritika të shumta për mungesë ndjeshmërie dhe për faktin që një moment kaq privat dhe i dhimbshëm u kthye në përmbajtje për rrjetet sociale. Përballë kritikave të ashpra, Bianca ka vendosur të mbyllë komentet në postimin e saj, duke treguar se e kishte pritur këtë reagim.
Ngjarja ka ndezur debatin mbi trendin e videove “Get Ready With Me”, që zakonisht bëhen për raste festive apo evente, por tani duket se po tejkalojnë kufijtë, duke përfshirë edhe situata tepër personale dhe delikate.

