Site icon Informohu siç duhet

Influencerët rusë ndërrojnë kahe: Nga kozmetika në politikë

Cila është ngjyra juaj e preferuar e buzëkuqit? Influencerja ruse Victoria Bonya parashtroi këtë pyetje për 13 milionë ndjekësit e saj në Instagram këtë javë, një temë që është e zakonshme në llogarinë e saj në këtë rrjet social.

Kjo video mori 45.000 pëlqime. Por, ajo tërhoqi shumë më tepër vëmendje me një përmbajtje shumë të pazakontë më 14 prill, në të cilën ajo iu drejtua personalisht presidentit rus, Vladimir Putin.

“Vladimir Vladimirovich, ata kanë frikë nga ju. Njerëzit kanë frikë nga ju, blogerët, artistët kanë frikë, guvernatorët kanë frikë nga ju. Por, ju jeni presidenti i vendit tonë. Nuk mendoj se duhet të kemi frikë nga ju”, tha Bonya në videon që shpejt mblodhi 20 milionë shikime dhe më shumë se 1 milion pëlqime.

Në një vend ku debati politik dhe kritika ndaj autoriteteve kontrollohen rreptësisht, videoja gati 20-minutëshe nxiti debat në internet dhe shpejt u pasua nga një video tjetër.

“Shakatë ndëshkohen ashpër në shtetin tonë”

Aiza, një tjetër influencere, u tha 4 milionë ndjekësve të saj se Rusia vuan nga “gazetaria e vdekur, drejtësia e vdekur [dhe] humor i vdekur, sepse shakatë ndëshkohen ashpër në shtetin tonë”.

Sa për krahasim, videoja e Bonyas kishte përmbajtje më e butë, duke u përqendruar në çështje si përmbytjet në Dagestan, ndotjen në bregdetin e Detit të Zi, therjen e bagëtive dhe bllokimin ose ngadalësimin e qasjes në internet. Të dyja videot shmangën kritikat e drejtpërdrejta ndaj Putinit, duke këmbëngulur se zyrtarët nuk po e informonin atë për problemet reale. Po ashtu, asnjëra nuk përmendi luftën në Ukrainë.

Publikimi i këtyre videove ndodh në një kohë kur niveli i popullaritetit i Putinit, sipas sondazheve të opinionit publik në Rusi, është në rënie. Javën e kaluar, Qendra Ruse për Kërkimin e Opinionit Publik, e drejtuar nga shteti, raportoi se niveli i popullaritetit të Putinit kishte rënë në 67.8 për qind, gjë që është niveli më i ulët që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022.

Këto ishin të dhënat e fundit në një seri sondazhesh që tregojnë për rënie të mbështetjes për Putinin, që mund të lidhet me luftën që po vazhdon, me numrin e viktimave dhe vështirësive ekonomike.

Por, sociologu rus në mërgim, Igor Eidman, i tha Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë se rezultatet e sondazhit të fundit ndoshta lidhen po ashtu me një seri kufizimesh në internet, teksa autoritetet ruse përpiqen të shtypin edhe më shumë disidencën.

“Ka pasur një vendim politik për ta izoluar Rusinë dhe përdoruesit rusë të internetit nga interneti global, për të ndjekur kursin që ka ndjekur Kina apo edhe Irani”, tha ai.

Më 14 prill, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi se ndërprerjet e internetit mobil, që kanë prekur miliona njerëz, janë të përkohshme.

“Është e qartë se kufizimet në qasjen në internet shkaktojnë shqetësime për shumë qytetarë, por… sapo të mos ketë nevojë më për këto masa, qasja në internet, natyrisht, do të rikthehet plotësisht dhe do t’i rikthehet normalitetit”, theksoi Peskov.

Eidman u shpreh se çdo “lehtësim” i masave ka të ngjarë të jetë i përkohshëm, dhe sipas tij, kjo do të ishte një “lëvizje për marrëdhënie me publikun”.

Shtypje ndaj blogerëve të luftës

Ndërkaq, shtypja ndaj blogerëve pro luftës, të cilët shprehin kritika për mënyrën se si po menaxhohet fushata ushtarake e Rusisë, ka vazhduar pa u ndalur.

Rasti më i fundit ndodhi më 13 prill, kur kanali në Telegram i Aleksandr Vaskovskyt njoftoi se ai ishte ndaluar për “diskreditim të ushtrisë”, pasi kishte postuar për korrupsionin brenda autoriteteve pushtuese ruse në rajonin e Donjeckut në Ukrainë.

Të nesërmen, ai shkroi se ishte liruar, por do të përballet me akuza në gjykatë.

Muajin e kaluar, Ilya Remeslo, një mbështetës i zëshëm i Kremlinit, nervozoi autoritetet kur shkroi një kritikë të ashpër ndaj luftës dhe gjendjes së përgjithshme në Rusi. Ai e sulmoi edhe Putinin, duke e quajtur kriminel lufte dhe u ankua se ai po e shkatërron Rusinë.

Më pak se dy ditë pasi publikoi artikullin, Remeslo u shtrua në një spital psikiatrik.

Bonya, e cila jeton në Monako, apo Aiza, që ndodhet në Bali, mund të ndihen të sigurta dhe nuk rrezikojnë arrestim apo masa të tjera shtypëse.

Por, mbase për t’u siguruar, Bonya publikoi një video tjetër më 15 prill, duke thënë se i kishte refuzuar të gjitha kërkesat për intervista, duke shtuar se: “Nuk kam asgjë më shumë për të thënë. Nuk jam ndonjë figurë opozitare. Nuk kam qenë kurrë dhe nuk planifikoj të jem”.

Më 16 prill, ajo u rikthye sërish, këtë herë në vaj, për t’u thënë ndjekësve të saj se Peskov kishte deklaruar se adresimi i saj ndaj Putinit ishte parë në Kremlin dhe se “po punohej” për problemet që ajo kishte ngritur.Tani, ndoshta, ajo mund të përqendrohet sërish te buzëkuqi./REL

Exit mobile version