Site icon Informohu siç duhet

India dhe Pakistani arrijnë armëpushim, reagon Trump

Pakistani kërcënon me luftë Indinë/ Dy rivalët e armatosur shkëmbejnë zjarr në kufi

India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm, pas disa javësh përleshjesh të rënda që kulmuan me viktima të shumta civile. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump përshëndeti lajmin duke shkruar në Truth Social:
“Urime të dyja vendeve për përdorimin e arsyes së shëndoshë dhe inteligjencës së madhe.”

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, konfirmoi marrëveshjen si “të plotë” dhe falënderoi përpjekjet ndërkombëtare që ndihmuan në këtë zgjidhje.

Pak orë para marrëveshjes, Pakistani kreu një operacion ushtarak që përfshinte goditje me raketa Fatah 1 ndaj bazave indiane. Ushtria pakistaneze njoftoi se ka shkatërruar një depo me raketa BrahMos dhe goditur bazat Pathankot dhe Udhampur.

India e cilësoi operacionin si një “përshkallëzim të papranueshëm”, duke deklaruar se kishte neutralizuar dronë të armatosur mbi Amritsar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi biseda me gjeneralin pakistanez Asim Munir dhe bëri thirrje për shmangie të përshkallëzimit dhe nisje bisedimesh konstruktive.

Tensionet u përshkallëzuan pas një sulmi më 22 prill në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 turistë indianë. India fajësoi Pakistanin, ndërsa ky i fundit mohoi përfshirjen.

Lugina e Kashmirit mbetet çështja kryesore e konfliktit mes dy fqinjëve të armatosur me armë bërthamore.

Exit mobile version