Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se paga minimale do të arrijë në 500 euro në fillim të vitit të ardhshëm, duke theksuar se kjo është një rritje e konsiderueshme e standardit të jetesës.
Në rubrikën “Ekonomia flet me fakte”, Ibrahimaj u ndal në zhvillimet kryesore ekonomike të vendit dhe iu përgjigj shqetësimeve të qytetarëve mbi politikat qeveritare. Ajo theksoi:
“Paga minimale është dyfishuar dhe, në fillim të vitit që po troket, do të jetë 500 euro. Nuk kemi pse të mos e pranojmë këtë.”
Ministrja përmendi edhe përfitimet për bizneset e vogla, të cilat nuk paguajnë tatimfitim për pesë vjet, duke kursyer familjeve shqiptare rreth 170 milionë euro çdo vit.
“Pse të mos e pranojmë këtë si diçka të mirë për mbi 110 mijë biznese,” shtoi Ibrahimaj.
Në lidhje me inflacionin, ajo theksoi se Shqipëria ka nivelin më të ulët në rajon, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve ndërkombëtare, duke nënvizuar se kjo rezulton në një rritje më të ulët të çmimeve në jetën e përditshme krahasuar me vendet fqinje.
Ibrahimaj siguroi se pagat, ekonomia dhe buxheti për investime dhe mbështetje sociale, përfshirë pensionet, do të vazhdojnë të rriten si pjesë e projektbuxhetit për vitin 2026.
“Kur themi të mirat, nuk duam të duartrokitemi, por të mirëkuptohemi për atë që kemi bërë dhe të kuptohemi më mirë për atë që do të bëjmë. Ekonomia flet me fakte dhe rezultate,” përfundoi ministrja.

