Një i ri 20-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Finiq, pasi akuzohet për zjarrvënie në fushën e sportit të fshatit Sopik.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi me iniciale A.P. ndezi zjarr, i cili doli jashtë kontrollit dhe dogji një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre. Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së banorëve të zonës, flakët u shuan në kohë dhe u parandalua përhapja e mëtejshme që mund të kishte shkaktuar pasoja më të rënda.
Policia e Sarandës tha se, pas veprimeve të shpejta hetimore, 20-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë rikujton qytetarët se ndezja e zjarreve është vepër penale dhe do të ndëshkohet me forcën e ligjit. Ajo apelon gjithashtu që çdo rast zjarrvënieje të denoncohet menjëherë në numrin 112, duke garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.


