DUBAI– Bujar Sefa, i cili njihet edhe me mbiemrin Xaka, është arrestuar në Dubai, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), nën akuzën për trafik droge drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Kujtojmë se Sefa ishte një nga personat më të kërkuar nga autoritetet shqiptare, pasi dyshohet si pjesë e një rrjeti kriminal të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
NJOFTIMI I POLICISË:
“Policia e Shtetit/ Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, kapet 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar. Akuzohet si drejtuesi i një grupi kriminal që ka kultivuar bimë narkotike, në Krujë, kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 39-vjeçari. Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u bë e mundur kapja në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit: B. S. alias B. X., 39 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 23.05.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shtetasi B. S. alias B. X. akuzohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, i cili në vitin 2020 ka kultivuar bimëve narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, Krujë. Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë për të kryer procedurat e ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri.”/Radar.al

