Izet Haxhia, i cili vuan dënimin në Burgun e Reçit, në pritje të gjykimit të radhës në Gjykatën Kushtetuese, është njoftuar se nesër do të transferohet në Burgun e Rrogozhinës.
Avokati i Izet Haxhisë ka thënë se në këtë burg jeta e tij është e rrezikuar.
Avokati i Haxhisë në deklaratën e tij ka sqaruar se Izeti para të transferohej në Burgun e Reçit, ka evidentuar me prova se jeta e tij ishte e rrezikuar në Rrogozhinë, Peqin, Burrel dhe se më pas autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve e çuan në Burgun e Reçit.
‘Izet Haxhia vuan dënimin në Burgun e Reçit, në pritje të gjykimit të radhës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Në mënyrë të papritur dhe me një sfond tepër të dyshimtë, është njoftuar se nesër do të transferohet në Burgun e Rrogozhinës, pikërisht në këtë burg ku jeta e tij është ekstremisht e rrezikuar. Nuk ka asnjë arsye objektive për këtë transferim, pasi sjelljet e Izet Haxhisë në Burgun e Reçit kanë qënë dhe janë shëmbullore. Asnjë shkelje sado e vogël disiplinore nuk i është evidentuar gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit në këtë burg. Një urdhër i dyshimtë, me suport politik dhe hakmarrës, duke e ditur që Izet Haxhia para se të transferohesh në Burgun e Reçit, ka evidentuar me prova të pakontestueshme se jeta e tij ishte e rrezikuar në Rrogozhinë, Peqin, Burrel…, autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve e çuan në Burgun e Reçit. Tashmë, pikërisht atje ku jeta e Izet Haxhisë është e rrezikuar, ku elementë të burgosur armiq të tij, për shkak të raporteve armiqësore të Izet Haxhisë me Sali Berishën, kërkojnë që nesër t’a transferojnë pikërisht në Burgun e rrezikut. Apeloj para Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe para Ministrit të Drejtësisë Ulusi Manja të parandalojnë një krim të paralajmëruar.”- ka deklaruar avokat Idajet Beqiri.
Haxhia është dënuar me 21 vite burg në lidhje me vrasjen e ish-deputetit democrat, Azem Hajdari në vitin 1998. Më 8 Maj 2018 Izet Haxhia u soll në Shqipëri për t’u vendosur në qelitë e paraburgimit 313. Nga ajo ditë ai nisi betejën ligjore për pafajësi. Fillimisht iu pranua rigjykimi, por plot 12 kërkesa për t’iu hequr masa e arrestit me burg iu refuzuan.
Gjatë procesit të rigjykimit Hazhia kërkoi të ballafaqohej dhe të dëshmonte në gjyq për vrasjen e shekullit edhe ish-kryeministri Sali Berisha, që sipas ish-truprojës ka urdhër vrasjen e Hajdarit, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykata. Ishte data 12 shtator e vitit 1998 ku në një atentat u vra Azem Hadjari, e për këtë vrasje u dënua me burgim të përjetshëm Jaho Mulosmani, e më pas u dënua edhe Izet Haxhia./Radar.al