Këshilli Gjyqësor i Kundërvajtjeve Penale në Lamia, Greqi, shqyrtoi këtë të premte kërkesën e shqiptarit Alket Rizai për lirim me kusht nga burgu i sigurisë së lartë në Domokos.
Megjithatë, seanca përfundoi me shtyrjen e vendimit për më datë 6 qershor 2025, pasi Rizai ndodhej përkohësisht i transferuar në Qendrën e Paraburgimit të Korydallos për një çështje procedurale. Këtë e konfirmoi një prej avokatëve të tij, Kostas Nousas.
Alket Rizai, 47 vjeç, është dënuar me dy burgime të përjetshme, ndërsa dënimet për vepra të tjera penale arrijnë në 25 vjet. Ai ndodhet në burg prej vitit 2003, përveç disa muajve liri të fituar pas arratisjeve spektakolare me helikopter.
Vitet e fundit, për shkak të sjelljes së mirë, Rizai ka përfituar edhe leje të përkohshme nga burgu – si ajo e janarit 2021, kur u pa në një makinë të ndaluar nga policia në Lamia gjatë një kontrolli rutinë, ndërsa ishte në një leje ligjore 5-ditore.
Hera e fundit që Rizai u paraqit para gjykatës ishte një vit më parë, kur u gjykua për posedim të armëve dhe celularëve brenda qelisë. Në përfundim të procesit, ai u shpall i pafajshëm.