Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë për shqyrtim ankimimin e paraqitur nga kryeministri Edi Rama në lidhje me vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar edhe pezullimin e përkohshëm të efekteve të vendimeve të GJKKO-së, çka i jep mundësi Ballukut të rikthehet në ushtrimin e detyrës deri në përfundimin e procesit.
Në padinë e paraqitur, Këshilli i Ministrave kërkon vlerësimin si antikushtetues të vendimit të GJKKO-së të datës 19 nëntor 2025, duke argumentuar se masa e pezullimit cenon garancinë kushtetuese të imunitetit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, sipas nenit 103 të Kushtetutës, si edhe shkel parimin e ndarjes së pushteteve. Kryeministri Rama thekson se pezullimi i një ministri – pjesë e organit kushtetues të ekzekutivit – përbën ndërhyrje në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe në kompetencat kushtetuese të kryeministrit për emërimin dhe shkarkimin e kabinetit qeveritar.
Në dokumentin zyrtar nënvizohet se, si anëtare e Këshillit të Ministrave, Belinda Balluku gëzon të njëjtat garanci si deputetët, ndaj nuk mund të pezullohet nga detyra përmes një mase sigurie. Qeveria sqaron se vendimi i GJKKO-së ka sjellë vështirësi në funksionimin normal të Këshillit të Ministrave, sidomos në sektorët strategjikë të Infrastrukturës dhe Energjisë, duke ndikuar në miratimin e akteve dhe në vijimin e projekteve të rëndësishme.
Më tej, theksohet se garancia kushtetuese nuk lidhet thjesht me individin, por me mbrojtjen e funksionimit të të gjithë organit ekzekutiv. Sipas padisë, lënia në fuqi e masës së pezullimit do të krijonte një vakum institucional me pasoja të rëndësishme për qeverisjen dhe mirëfunksionimin e shtetit.
Çështja ka lidhje me hetimin e SPAK për tenderin e tunelit të Llogarasë, ku GJKKO vendosi ndaj Ballukut masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit. Për të njëjtën çështje, masa “arrest në shtëpi” është caktuar për kreun e ARRSH, Gentian Gjyli, dhe për drejtorin aktual të KESH, Erald Elezi, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtojë çështjen më 22 janar, duke i hapur rrugë një procesi të rëndësishëm për sqarimin e kompetencave dhe ruajtjen e ekuilibrave kushtetues në vend.
NJOFTIM PËR SHTYP
Në datën 12.12.2025, Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese mori në shqyrtim paraprak çështjen nr. 30 (K) 2025 të Regjistrit Themeltar, datë 21.11.2025, me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Shfuqizimi i vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.“.
Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:
1. Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.
2. Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.
3. Njëzëri, mospranimin e kërkesave të partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës jofitimprurëse “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse. Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se këto dy subjekte nuk justifikojnë interesin kushtetues, pasi mosmarrëveshja kushtetuese në shqyrtim ka të bëjë me konflikt kompetencash dhe në të marrin pjesë vetëm subjektet që janë në konflikt, në kuptimin që janë pjesë e organeve të ushtrojnë kompetencën kushtetuese për të cilën ka lindur konflikti.
4. Njëzëri, në zbatim të nenit 27, pika 3, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit në rast se pranohet kërkesa për pezullim, data e seancës plenare caktohet në datën më të afërt të mundshme, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme, caktimin e seancës plenare publike në datën 22.01.2026, ora 10:00.


