Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kryer transferimin e një të dënuari me burgim të përjetshëm nga IEVP Peqin në IEVP Burrel, për arsye sigurie, pas informacioneve operative të marra nga strukturat përkatëse.
Sipas njoftimit zyrtar, transferimi i shtetasit me iniciale M.P. është urdhëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, në kuadër të masave të sigurisë dhe verifikimeve të brendshme.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer në momentin e pranimit në burgun e Burrelit, në sendet personale të të dënuarit është konstatuar një qese e vogël me lëndë të dyshuar narkotike, e fshehur në një çorape.
Menjëherë pas zbulimit, janë njoftuar autoritetet drejtuese të institucionit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, si dhe Policia e Burrelit, e cila ka marrë në dorëzim materialin për ekspertizë.
Rasti po trajtohet sipas procedurave ligjore në fuqi dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

