VLORË– Policia e Vlorës ka vijuar me zbatimin e masave të përcaktuara në operacionin mbarëkombëtar të “Sundimi të ligjit”.
Si rezultat i finalizimit të operacionit është ndaluar në Vlorë dhe arrestuar me qëllim ekstradimin, 58-vjeçari Nikola Mersini, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga Italia, me 8 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:
DVP Vlorë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Pursuit”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I dënuar nga Italia, me 8 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Vlorë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 58-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pursuit”.
Gjatë operacionit, u kap në lagjen “10 Korriku” dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Nikola Mersini, 58 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Vlorë.
Autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar këtë shtetas, me 8 vjet burgim (nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 7 vjet e 6 muaj), për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.