Vrasja e Martina Carbonaro, 14-vjeçares e ndodhur së fundmi nga i dashuri i saj në Afragola, pranë Napolit i shokoi të gjithë, por më së shumti mamanë e saj.
Kjo e fundit në një prononcim për mediat italiane mes lotësh është shprehur se një përbindësh i vrau vajzën e vogël.
“Vajza ime u hodh si mbeturina në një qese. Trupi i saj ishte i lidhur. Kush do ma kthejë vajzën tani? E pyeta (te dashurin e vajzës) ‘A i bëre diçka?’. Ai e mohoi, më tha ‘Nuk e preka fare’. Por e kuptova kur ai erdhi në shtëpinë time dhe tha se kishte bërë dush’”, u shpreh Fiorenza Cossentino.
Gjithashtu mamaja e viktimës foli [ak dhe mbi marrëdhënien e dyshes së re të cilët së bashku përjetuan një romancë: ‘Ajo ishte e dashuruar, por edhe e frikësuar. Kur ai e qëlloi me shuplakë disa kohë më parë, ajo e kuptoi që ai mund të ishte i dhunshëm’.
Ish-i dashuri i Martinës, 18-vjeçari Alessio Tucci, është vënë në pranga dhe ndaj tij rëndojnë akuza të rënda për vrasje dhe fshehje të kufomës.
Në dëshminë e dhënë për prokurorinë e Napolit të Veriut, ai pranoi se i mori jetën Martinës dhe pastaj fshehu trupin e saj të pajetë.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se vrasja ishte e përgjakshme, ndërsa viktima është goditur disa herë në kokë me një gur.
E gjithë ngjarja e rëndë thuhet se ka ndodhur për motive të dobëta pasi Martina kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes së tyre, dhe 18-vjeçari nuk mund ta pranonte ndarjen.
Ndërsa thuhet se autoritetet po vijojnë punën e tyre në lidhje me këtë ngjarje tragjike.