Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi, ka tërhequr vëmendjen pas shfaqjes së tij në një takim elektoral të organizuar nga Partia Demokratike mbrëmjen e kaluar në Kavajë. Në një foto të shpërndarë në rrjet, Roshi shfaqet i veshur me kapuç dhe kostum sportiv, duke u munduar të mos tërheqë vëmendje.
Mes të pranishmëve në lagjen Skuraj të Kavajës, ku Partia Demokratike prezantoi programin e saj politik Elvis Roshi ishte pranë sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka.
Roshi ishte përjashtuar nga politika për shkak të ligjit të dekriminalizimit, por duket se tani po rikthehet në skenën politike, këtë herë pranë PD-së. Raportimet sugjerojnë se afërsia e tij me demokratët lidhet me kandidimin e kushëririt të tij, Elton Rroshi, për deputet në zonën e Kavajës.

Lidhur me këtë ngjarje, kryeministri Edi Rama ka reaguar gjatë një mitingu në Elbasan, duke ironizuar: “Kur ishte kryebashkiak ishte kriminel. Tani e ka marrë këneta.”
Në të kaluarën, Sali Berisha ka qenë shumë kritik ndaj Elvis Roshit. Kur Roshi ishte kryebashkiak i Kavajës, nën siglën e Partisë Socialiste, Berisha e ka quajtur atë “kriminel” dhe e ka akuzuar për lidhje me bandat, trafik droge, dhunë, dhe falsifikim dokumentesh. Madje, ai e përdorte shpesh si një shembull për të sulmuar Edi Ramën dhe qeverinë për mbështetje ndaj personave me të kaluar kriminale.
Për këtë arsye, prania e Elvis Roshit në takimin e PD ka shkaktuar një kontrast të fortë, duke pasur parasysh kritikat e forta që ka marrë dikur nga ky i fundit.


