Një shtetas shqiptar është dënuar nga autoritetet belge me 1 vit burg dhe një gjobë prej 1600 eurosh, pasi hyri me forcë në banesën e ministres së Arsimit, Drejtësisë dhe Punësimit, Zuhal Demir, në Genk.
Ngjarja ka ndodhur më 7 janar 2023, kur ai depërtoi në shtëpi përmes një dritareje, pavarësisht se banesa ishte e rrethuar me gardh sigurie. Mediat lokale raportojnë se autori kontrolloi disa ambiente të banesës, por në fund mori vetëm 50 euro nga një kuti kursimi.
Identifikimi i tij u bë i mundur falë gjurmëve të ADN-së të gjetura pikërisht në kutinë e parave, çka çoi në zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e tij.


