Site icon Informohu siç duhet

Hyn në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit

Armëpushimi 10-ditor mes Libanit dhe Izraelit ka hyrë në fuqi në mesnatë, sipas kohës lokale, teksa gazetarët kanë raportuar për “të shtëna me armë zjarri” dhe lëshime raketash, që mund të kenë qenë të shtëna festuese teksa nisi armëpushimi.

Media shtetërore e Libanit raportoi për vazhdim të sulmeve izraelite në jug të shtetit, por këto raportime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur. Ushtria libaneze, në orët e para të 17 prillit pretendoi për disa “shkelje të armëpushimit” nga ana e Izraelit dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos kthehen menjëherë në fshatrat jugore.

Për arritjen e armëpushimit njoftoi më 16 prill presidenti amerikan, Donald Trump, dhe më pas arritja e tij u konfirmua edhe nga udhëheqësit izraelitë dhe libanezë.

Trump njoftoi për armëpushimin pasi bisedoi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentin libanez, Joseph Aoun. Presidenti amerikan tha se planifikon t’i takojë të dy udhëheqësit brenda një ose dy jave.

Përmes një video-deklarate, Netanyahu tha se ishte pajtuar për një armëpushim 10-ditor dhe se ekziston mundësia për të arritur një marrëveshje historike me Libanin pas dekadash konflikt.

Presidenti amerikan tha se armëpushimi përfshin edhe Hezbollahun, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesë të mëdha të jugut të Libanit. Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur.

Exit mobile version