ITALI– Një i ri shqiptar i identifikuar si Arbër Mecaj, 38 vjeç, ka humbur jetën teksa po ndiqej nga policia italiane. Makina me të cilën ai po ecte u përplas me një shtyllë druri. Në automjetin e tij u gjetën 25 kilogramë kokainë.
Kjo ngjarje ka ndodhur të të shtunën mbrëma në rrugët e Nettunos, ku dy makina po lëviznin me shpejtësi të madhe. Dy patrulla policie, me oficerë të veshur civil, po kryenin kontrolle dhe parandalime, kur vërejtën dy automjetet. Kur oficerët urdhëruan shoferët të ndalonin, ata nuk iu bindën dhe nisën arratisjen.
Njëra nga makinat, një “Smart” e drejtuar nga një italian 26-vjeçar, u ndalua pak më vonë pa asnjë lëndim për shoferin apo policët. Makina tjetër, një “Fiat” 500, vazhdoi ikjen me shpejtësi, e ndjekur nga një tjetër patrullë.
Shoferi i “Fiat”-it, Arbër Mecaj, u nis drejt Aprilias dhe në zonën Tre Cancelli, në një rrugë me asfalt të pjesshëm, humbi kontrollin e automjetit. Makina rrëshqiti, u përplas me një shtyllë druri dhe u përmbys, duke shkaktuar një përplasje fatale. Oficerët njoftuan menjëherë shërbimet e urgjencës, por përpjekjet për të sjellë në jetë Mecajn rezultuan të pasuksesshme. Ai humbi jetën në vend.
Gjatë kontrollit në “Fiat”, policia gjeti një qese me 23 pako që përmbanin 25 kilogramë kokainë. Ngarkesa e madhe ishte qëllimi i arratisjes. Italiani 26-vjeçar u arrestua për posedim dhe trafik droge në bashkëpunim, pasi po përpiqeshin ta transferonin drogën në një vend të panjohur. Ndjekja përfundoi me një tragjedi, por falë veprimeve të shpejta të policisë, dyshohet se u parandaluan pasoja edhe më të rënda./Radar.al
Hatërmbetja e Rozanës: Besa Kokëdhima ndryshoi këngën e Eurovisionit, s’na njoftoi!


