Një ngjarje tronditëse është raportuar në Meksikë, ku organizatat që kërkojnë persona të zhdukur kanë zbuluar mbi 1,000 pjesë kockash në brigjet e një liqeni, që dyshohet se u përkasin viktimave të karteleve të drogës.
Zbulimi u bë në zonën e Liqenit Chalco, në lindje të kryeqytetit, ku autoritetet kishin zhvilluar kërkime prej më shumë se dhjetë ditësh.
Sipas aktivistëve, në vendin ku prokuroria kishte kryer më parë kontrolle, u gjetën të paktën 1,076 fragmente kockash, çka ka ngritur akuza të forta për neglizhencë dhe dështim të institucioneve.
Familjarët e personave të zhdukur e kanë cilësuar situatën si një “krizë mjeko-ligjore me përmasa të papritura”, duke kërkuar që gërmimet të vijojnë pa ndërprerje derisa zona të kontrollohet plotësisht.
Në një raport të mëparshëm, prokuroria kishte njoftuar zbulimin e 317 fragmenteve, që sipas analizave paraprake mund t’i përkisnin të paktën tre personave.
Meksika vijon të përballet me plagën e zhdukjeve masive që prej vitit 2006, me mbi 130 mijë persona të raportuar të zhdukur, në mes të luftës së përgjakshme kundër karteleve të drogës.

