Për herë të parë në historinë e Aleancës, një gjeneral turk është emëruar në një pozicion të nivelit drejtues në Shtabin Ushtarak Ndërkombëtar të NATO-s në Bruksel. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë gjatë konferencës javore për shtyp.
Zëdhënësi i ministrisë, Zeki Akturk, theksoi rëndësinë e këtij emërimi, duke e cilësuar atë si dëshmi të rolit aktiv dhe kontributit të fortë që Turqia jep në kuadër të NATO-s për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Për sigurinë e NATO-s dhe rajonit Euro-Atlantik, vendi ynë – si në të kaluarën – vazhdon të japë kontribute të rëndësishme dhe vendimtare, dhe do ta bëjë këtë edhe në të ardhmen,” deklaroi Akturk.
Gjenerali turk pritet të ushtrojë detyrën në përputhje me rezolutat e NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara, duke respektuar neutralitetin dhe transparencën, si dhe angazhimet ndërkombëtare të Ankarasë.
Akturk bëri të ditur gjithashtu se Turqia do të marrë sërish komandën e Forcave të NATO-s në Kosovë për një mandat tjetër, që do të nisë në tetor të vitit 2025, pas drejtimit aktual nga tetori 2023 deri në tetor 2024.