Përpara atentatit të së shtunës ndaj ish presidentit Donald Trump, ka pasur raste të shumta të dhunës politike që synonin presidentët amerikanë, ish-presidentët dhe kandidatët presidencialë të partive kryesore.
Një vështrim mbi disa nga atentatet dhe përpjekjet për vrasje që kanë ndodhur që nga themelimi i kombit në vitin 1776.
ABRAHAM LINCOLN, presidenti i 16-të
Abraham Lincoln ishte presidenti i parë që u vra, i qëlluar nga John Wilkes Booth më 14 prill 1865, ndërsa ai dhe gruaja e tij, Mary Todd Lincoln, po ndiqnin një shfaqje të komedisë “Kushëriri ynë amerikan” në teatrin Ford në Uashington.
Ai u dërgua në një shtëpi përballë teatrit për trajtim mjekësor pasi u qëllua në pjesën e pasme të kokës. Ai vdiq të nesërmen në mëngjes. Mbështetja e tij për të drejtat e zezakëve është përmendur si një motiv për vrasjen e tij.
Abraham Lincoln u pasua nga zëvendëspresidenti Andrew Johnson.
Atentatori Booth u qëllua dhe u vra më 26 prill 1865, pasi u gjet i fshehur në një hambar pranë Bowling Green të Virxhinias.
JAMES GARFIELD, presidenti i 20-të
James Garfield ishte presidenti i dytë që u vra, gjashtë muaj pas mori detyrën. Ai po ecte nëpër një stacion treni në Uashington më 2 korrik të vitit 1881, për të kapur një tren për në New England, kur u qëllua nga atentatori Charles Guiteau.
Alexander Graham Bell, shpikësi i telefonit, u përpoq pa sukses të gjejë plumbin në gjoksin e presidentit Garfield duke përdorur një pajisje që ai e kishte projektuar posaçërisht për presidentin. I plagosur për vdekje presidenti Garfiel qëndroi i shtrirë në Shtëpinë e Bardhë për disa javë, por vdiq në shtator, pasi u dërgua në bregun e Nju Xhersit.
Ai u pasua nga nënpresidenti Chester Arthur.
Atentatori Guiteau u shpall fajtor dhe u ekzekutua në qershor të vitit 1882.
WILLIAM McKINLEY, presidenti i 25-të
William McKinley u qëllua pasi mbajti një fjalim në Buffalo tw Nju Jorkut, me 6 shtator të vitit 1901. Ai po shtrëngonte duart me njerëzit kur një burrë e qëlloi dy herë në gjoks nga afërsia. Mjekët kishin pritur që presidenti McKinley të shërohej, por më pas u shfaq gangrena rreth plagëve.
Presidenti McKinley vdiq më 14 shtator të vitit 1901, gjashtë muaj pas fillimit të mandatit të tij të dytë.
Ai u pasua nga nënpresidenti Theodore Roosevelt.
Leon F. Czolgosz, një i papunë, 28-vjeçar, banor i Detroitit, pranoi se kishte kryer sulmin. Ai u shpall fajtor në gjyq dhe u dënua me vdekje në karrigen elektrike më 29 tetor të vitit 1901.
FRANKLIN D. ROOSEVELT, presidenti i 32-të
Franklin D. Roosevelt, në atë kohë president i zgjedhur, sapo kishte përfunduar një fjalim në Miami nga pjesa e pasme e një makine të hapur, kur u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.
Ai nuk u plagos nga të shtënat në shkurt tw vitit 1933 që vranë kryebashkiakun e Çikagos, Anton Cermak.
Guiseppe Zangara u shpall fajtor për sulmin dhe u dënua me vdekje.
HARRY S. TRUMAN, presidenti i 33-të
Harry Truman po qëndronte në Blair House, përballë Shtëpisë së Bardhë, në nëntor të vitit 1950, kur dy persona të armatosur hynë brenda.
Presidenti Truman nuk u plagos, por një polic i Shtëpisë së Bardhë dhe një nga sulmuesit u vranë në një shkëmbim zjarri. Dy policë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë u plagosën.
Oscar Callazo u arrestua dhe u dënua me vdekje. Në vitin 1952, presidenti Truman e ndryshoi dënimin me burgim të përjetshëm. Ai u lirua nga burgu në vitin 1979 nga presidenti Jimmy Carter.
JOHN F. KENNEDY, presidenti i 35-të
John Kennedy u qëllua për vdekje nga një vrasës i fshehur i armatosur me një pushkë teksa vizitoi Dallasin në nëntor të vitit 1963 me zonjën e parë Jacqueline Kennedy. Të shtënat shpërthyen teksa autokolona e presidentit kaloi nëpër Dealey Plaza në qendër të Dallasit.
John Kennedy u dërgua me urgjencë në Spitalin Memorial Parkland, ku vdiq pas pak.
Ai u pasua nga zëvendëspresidenti Lyndon B. Johnson, i cili u betua në një sallë konferencash në bordin e Air Force One. Ai është i vetmi president që bëri betimin në avion.
Disa orë pas atentatit, policia arrestoi Lee Harvey Oswaldin, i cili dy ditë më vonë ndwrsa po dërgohej nga selia e policisë në burgun e qarkut, u qëllua për vdekje nga pronari i një klubi të natës në Dallas, Jack Ruby.
GERALD FORD, presidenti i 38-të
Gerald Ford u përball me dy tentativa për vrasje brenda javësh në vitin 1975, por kaloi pa dëme.
Në përpjekjen e parë, presidenti Ford ishte rrugës për në një takim me guvernatorin e Kalifornisë në Sacramento, kur dishepulli i Charles Manson, Lynette “Squeaky” Fromme, çau mes një turme në rrugë, nxori një pistoletë gjysmë automatike dhe ia drejtoi presidentit. Arma nuk shkrepi.
Fromme u dënua me burg dhe u lirua në vitin 2009.
Vetëm 17 ditë më vonë një grua tjetër, Sara Jane Moore, u përball me presidentin Ford jashtë një hoteli në San Francisko. Ajo qëlloi me armë dhe dështoi të qëllonte presidentin. Një kalimtar rasti e zuri nga krahu teksa po përpiqej të qëllonte sërish.
Sara Jane Moore u dërgua me burgim dhe u lirua në vitin 2007.
RONALD REAGAN, presidenti i 40-të
Ronald Reagan po largohej nga një fjalim në Uashington, po ecte drejt autokolonës së tij kur u qëllua nga John Hinckley Jr., i cili ishte në turmë.
Presidenti Reagan u shërua nga plagët e pësuara në marsin e vitit 1981. Tre persona të tjerë u qëlluan, përfshirë sekretarin e tij të shtypit, James Brady, i cili ishte pjesërisht i paralizuar si pasojë e plagëve.
John Hinckley u arrestua dhe u mbyll në një spital psikiatrik pasi një juri e shpalli atë të pafajshëm për shkak të gjendjes mendore. Në vitin 2022, Hinckley u lirua nga mbikëqyrja pasi një gjykatës përcaktoi se ai “nuk ishte më një rrezik për veten ose të tjerët”.
GEORGE W. BUSH, presidenti i 43-të
George W. Bush po merrte pjesë në një tubim në Tbilisi në vitin 2005 me presidentin gjeorgjian Mikhail Saakashvili, kur një granatë dore u hodh drejt tij.
Të dy burrat ishin pas një mburoje antiplumb kur granata, e mbështjellë me leckë, ra rreth 30 metra larg tyre. Granata nuk shpërtheu.
Vladimir Arutyunian u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
THEODORE ROOSEVELT, kandidat për president
Ish presidenti u qëllua në Milwaukee në vitin 1912 gjatë fushatës për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, ku kishte shërbyer më parë për dy mandate si president.
Letrat e palosura dhe një këllëf metalik i syzeve në xhepin e z. Roosevelt me sa duket e dobësuan goditjen e plumbit dhe ai nuk u plagos rëndë.
John Schrank u arrestua dhe e kaloi pjesën e mbetur të jetës së tij në spitalet e shëndetit mendor.
ROBERT F. KENNEDY, kandidat për president
Robert Kennedy po synonte emërimin e Demokratëve kur u vra në një hotel në Los Anxhelos, pak kohë pasi mbajti fjalimin e tij të fitores në zgjedhjet paraprake në Kaliforni të vitit 1968.
Kennedy ishte një senator amerikan nga Nju Jorku dhe vëllai i presidentit John F. Kennedy, i cili u vra pesë vjet më herët.
Pesë persona të tjerë u plagosën nga të shtënat.
Sirhan Sirhan u dënua për vrasje të shkallës së parë dhe u dënua me vdekje. Kjo u ndryshua në burgim të përjetshëm.
GEORGE C. WALLACE, kandidat për president
George Wallace po synonte emërimin si kandidat presidencial nga demokratët kur u qëllua gjatë një ndalese fushate në Maryland në vitin 1972, një incident që e la atë të paralizuar nga beli e poshtë.
Zoti Wallace, guvernator i Alabamës, ishte i njohur për pikëpamjet e tij segregacioniste, nga të cilat më vonë hoqi dorë.
Arthur Bremer u dënua me burgim pas sulmit dhe u lirua në vitin 2007./VOA