Një histori e jashtëzakonshme e një shqiptari ka prekur zemrat e publikut në Gjermani. Kadri Mahmuti, i cili u bë baba në Paris në vitin 1979, u nda nga vajza e tij kur ajo ishte vetëm dy vjeçe. Në atë kohë, nëna e vogëlushes Hamide vendosi të shpërngulet në Portugali dhe që prej atij momenti, Kadriu nuk arriti ta takonte më të bijën.
Pas më shumë se katër dekadash pritjeje dhe mallëngjimi, fati i tyre ndryshoi falë emisionit të njohur gjerman “Bitte melde dich” të prezantueses Julia Leischik. Programi, i cili prej vitesh ndihmon njerëzit të ribashkohen me familjarët e humbur, arriti ta gjente Hamiden dhe të organizonte takimin emocionues me të atin.
Pamjet e ribashkimit u pritën me duartrokitje e lot nga publiku, ndërsa historia e Kadri Mahmutit u bë një nga shembujt më të fortë të dashurisë prindërore që nuk shuhet kurrë, pavarësisht kohës dhe distancës.


